Ukraina do të marrë avionë luftarakë F-16 para fundit të vitit, tha në një intervistë për Fox News, John Kirby, Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA për Komunikimet Strategjike, shkruan Kyiv Independent, transmeton Fol Drejt.
“Me shumë gjasa, F-16 do të mbërrijnë në Ukrainë para fundit të vitit. Megjithatë, ne nuk besojmë se F-16 vetëm mund të ndryshojnë situatën në fushën e betejës,” tha Kirby.
Ai shtoi se Ukraina ka nevojë urgjente për një sasi më të madhe të municioneve artilerie.
Një javë më parë, gjenerallejtënant Douglas Sims tha se kushtet për transferimin e F-16 nuk janë “ideale”. Ai theksoi se rusët kanë ende aftësi të mbrojtjes ajrore, duke lënë të kuptohet se numri i avionëve që mund të mbërrijnë nuk do të ndryshojë rrjedhën e kundërofensivës.
Në samitin e NATO-s në Vilnius, Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov nënshkroi një memorandum me 11 vende që përshkruan kushtet e trajnimit të F-16 për pilotët ukrainas.
Kryeministri rus Sergej Lavrov e quajti transferimin e mundshëm të avionëve në Ukrainë “një kërcënim bërthamor”, duke theksuar aftësinë e tyre për të mbajtur armë bërthamore.