Kirgistani dhe Taxhikistani nënshkruan një protokoll për t’i dhënë fund përleshjeve kufitare.
Sipas agjencisë së lajmeve të Kirgistanit, AKIpress, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme mbi armëpushimin dhe de-eskalimin, marrëveshja e nënshkruar mbrëmë parashikon përfundimin e plotë të armiqësive, tërheqjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake në stacionet e tyre të përhershme të detyrës, inspektimin e përbashkët të pikave kufitare dhe posteve komanduese dhe një hetim të plotë të përleshjeve të armatosura, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Protokolli u nënshkrua nga kryetari i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kirgistanit, Kamchibek Tashiev, dhe homologu i tij taxhik, Saimumin Yatimov.
Përleshjet shpërthyen në një seksion të diskutueshëm të kufirit në rajonin Batken të Kirgistanit më 14 shtator ndërsa të dyja palët më vonë ranë dakord për një armëpushim.
Megjithatë, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe në rajon u shpall një gjendje e jashtëzakonshme.
Përderisa vendi mbajti një ditë zie kombëtare, presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov, në një fjalim televiziv dje tha se përpjekjet vazhduan për të zgjidhur çështjet e kufirit në mënyrë paqësore.
Javën e kaluar, Japarov u takua me presidentin e Taxhikistanit, Emomali Rahmon, në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Samarkand të Uzbekistanit dhe ranë dakord për zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet diplomacisë./FolDrejt/