Kryeministri japonez Fumio Kishida foli në Seul për “përvojat e trishta” të njerëzve nga koha e kolonizimit japonez.
Kishida u takua me presidentin e Koresë së Jugut, Yun Suk Yeol, në një përpjekje nga të dy vendet për të kapërcyer tensionet.
Ky është samiti i parë midis Tokios dhe Seulit që do të mbahet në Korenë e Jugut në 12 vitet e fundit.
“Zemra ime dhemb për përvojat e dhimbshme dhe të trishtueshme të kaq shumë njerëzve në rrethanat e vështira të asaj kohe,” tha Kishida, pa kërkuar një falje zyrtare, raporton AFP.
Yun Suk Yeol tha se, “në sajë të miqësisë dhe besimit te kryeministri Kishida, ai do të inkurajojë një bashkëpunim më të thellë dypalësh drejt një të ardhmeje të re”.
Kishida tha se është i prekur për të parë se sa njerëz janë të hapur për të ardhmen, duke mos harruar vështirësitë e së kaluarës.
Vizita e sotme ishte planifikuar pas një takimi midis Kishida dhe presidentit korean në Tokio në mars, kur u arrit një marrëveshje për heqjen e kufizimeve të ndërsjella tregtare.
Përballë kërcënimeve nga Koreja e Veriut, afrimi midis Tokios dhe Seulit ka mbështetjen e fortë të aleatit të tyre, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dy liderët kanë pasur një darkë të përbashkët në rezidencën presidenciale në Seul.
Rreth 100 demonstrues u mblodhën në kryeqytetin korean mëngjesin e sotëm për të protestuar ndaj vizitës së Kishidas, duke kërkuar që mosmarrëveshja e kolonizimit të jetë në krye të agjendës për bisedime.
Vitet e fundit, marrëdhëniet midis Tokios dhe Seulit kanë rënë në një pikë të ulët, pas vendimeve të gjykatave të Koresë së Jugut që urdhëruan kompanitë japoneze të paguajnë kompensim për punëtorët koreanë për punën e detyruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Problemet mes dy vendeve datojnë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, kur japonezët pushtuan Korenë e Jugut (1910-1945) dhe detyruan popullsinë vendase në punë të detyruar ose prostitucion në shtëpi publike ushtarake, transmeton Fol Drejt.