Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot sërish për sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kurti ka thënë se këto sulme ishin terroriste dhe se për qëllim kishin vrasje.
“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale
U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të këtilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi, përcjell FolDrejt.
Kryeministri shtoi se është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës ajo që i bënë analizat dhe studimet e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë.
“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nga MPB dhe Policia e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti tutje u pyet nga gazetarët edhe për deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me ardhjen e një aeroplani i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Kurti tha se deklarata që vijnë nga Beogradi nuk bënë të merren si fakte.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk bënë ti merrni si fakte. E kemi shtuar buxhetin për mbrojtjen e Kosovës, por për të gjitha hapat e mëtutjeshme që ne ndërmarrim informacionet duhet ti merrni nga Ministria e Mbrojtjes, kurrsesi nga Beogradi”, tha Kurti.
Kujtojmë se të premten në një konferencë të jashtëzakonshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti bënë të ditur se brenda tri ditëve Policia e Kosovës ishte sulmuar katër herë.
Sulmet ndaj policisë kishin ndodhur me granata dore, AK 47, me vendosjen e iriqëve metalik në rrugë e hedhje të gurëve.
Pastaj edhe të shtunën ndodhi një tjetër sulm kësaj radhe policia ishte sulmuar me mjete piroteknike në Sharpej të Jarinjës.
Ndaj këtyre sulmeve kanë reaguar krerët e shtetit, liderë të partive politike në Kosovë, ambasada amerikane, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. /Telegrafi/