Mund të duket e pabesueshme që dikur, më saktë në vitet ’30 të jetë propozuar një taksë për beqarët. Si në shumë vende të tjera të botës, edhe në Shqipëri është aplikuar një politikë shtetërore pro lindshmërisë dhe për këtë u propozua një taksë ndaj beqarëve.
Taksa u vendosej personave me moshë mbi 20 vjeç gjer 50 vjeç për meshkujt dhe mbi 20 vjeç deri në 40 vjeç për gratë. Kjo lloj takse ishte aplikuar në vende perëndimore, si psh. në Itali.
Po në Shqipëri kush e propozoi?
Ishte një person që pseudonimin e kishte Borealiz dhe e propozoi këtë taksë përmes një analize në revistën “Minerva” në 1933-shin.
Ja ç’propozonte përmes shkrimit në revistë: “Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligj që takson 20 vjeçarët e pamartuar. Një gjë e tillë mund të bëjmë edhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen metepër se Italia, çdo beqar taksohet sipas gjendjes së tij ekonomike. Katundari i varfër me 20 franga ari në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion lireta në vit nga zbatimi i këtij ligji.
Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve. Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit që rrisin një numër të madh fëmijësh. Ka një tok mënyrash për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë”.
Dhe ky person ishte Ismet Toto. Ai lindi në vitin 1908 në Progonat të Kurveleshit dhe u nda nga jeta në vitin 1937, kur u ekzekutua në burgun e Gjirokastrës. Ismet Toto mbaroi shkollën e mesme teknike amerikane në Tiranë dhe kreu universitetin për Statistikë në Romë.