Zyra Evropiane për Politikë të Jashtme njoftoi se të enjten nga ora 9 do të mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, ku do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mësohet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special për dialog, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me secilin nga liderët, e më pas pritet një takim trepalësh.
Në takim do të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe për çështje aktuale.
Borrell do të bëjë një deklaratë për mediat në fund të takimeve.
Kurti dhe Vuçiq folën më parë më 2 maj, disa ditë pas zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët vendas, transmeton Fol Drejt.