Është hapur zyrtarisht votimi për nominime të filmave për Çmimet Oscars.
Filmi kosovar “Zgjoi” po pret ta fitojë nominimin për Oscar. Arritja e “Zgjoit” deri tek faza e noiminimeve është tashmë një nga ngjarjet më të veçanta për kinematografinë kosovare. Ashtu siç është bërë e ditur “Zgjoi” tashmë gjendet në listën e ngushtë të filmave ndërkombëtarë dhe një nga konkurrentët për Oscar.
Emrat e filmave të nominuar pritet të bëhen të ditur më 8 shkurt, ndërsa ceremonia e ndarjes së Çmimit Oscar do të mbahet më 27 mars, transmeton Fol Drejt.
Filmi “Zgjoi” bën pjesë në listën e ngushtë të 15 filmave ndërkombëtarë për Çmimin Oscar. Ky film me regji të Blerta Bashollit është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe. Ajo në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor. Këtë e bën për ta siguruar mbijetesën e familjes. Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.
Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë. I pari ishte filmi “Shok” me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue.
“Zgjoi” është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival./FolDrejt/