Xhamia e Sulltan Muratit ose siç njihet edhe ndryshe si Xhamia e Çarshisë, tash e dhjetë vite është e mbyllur për besimtarët. Në të ka munguar falja e namazit dhe kryerja e adhurimeve të tjera për arsye se për një dekadë kjo xhami ishte në restaurim e sipër.
Pas shumë vitesh ndërprerje, Agjencia e Turqisë për Kulturë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë filluar punimet, ku kësaj here shihet se puna është marrë seriozisht.
Xhamia e Çarshisë është ndër monumentet më të vjetra në Kosovë. Ajo daton që nga viti 1389, pra ka filluar të ndertohet në kohën e Betejës së Kosovës.
Fol Drejt ka vizituar xhaminë dhe ka parë për së afërmi punimet, ku dhe ka kontaktuar me mbikqyrësen e punimeve, znj. Nefertita Bardhi Miftari.
Ajo ka thënë se për dy muaj punimet do të mbarojnë dhe xhamia do të jetë e gatshme për besimtarët, raporton Fol Drejt.
“Sa i përket restaurimit, afati ka qenë zyrtar deri me 10 tetor të këtij viti, mirëpo kanë filluar pak me vonesë për shkak të motit se është dashur vitin e kaluar por ngricat, temperaturat e ulëta, kështu që kanë filluar tek në muajin maj, kryesisht përgatitjet janë bërë prej muajit shkurt, por në muajin maj kanë filluar punimet e restaurimit. Kështu, besoj që edhe dy muaj do të zgjasin punimet dhe do të përfundojë puna”, ka thënë Nefertita Bardhi Miftari./FolDrejt/