“E kam shfaqur artin tim në qytetet që kam vizituar. U ktheva në vendlindje për të filluar një jetë të re. Doja të performoja artin tim në vendin tim ashtu siç doja”, tha piktori tunizian, Belgis.
Piktori dhe skulptori tunizian, Ammar Belgis transformoi një shpellë të braktisur pranë fshatit të tij, ku u kthye vite më vonë, në një vend kulturor duke e dekoruar me vepra të ndryshme arti.
I diplomuar në Institutin e Arteve të Bukura Tuniziane, Belgis është një artist i njohur në botën arabe.
Shpella, e zbukuruar nga Belkis me piktura, figurina të punuara me dorë dhe vepra kaligrafike të Magrebit për vite me radhë, u bë e famshme fillimisht në qytetin e tij të lindjes, El Kef dhe më pas në të gjithë Tunizinë.
Shpella, e cila tërheq vëmendjen e turistëve për shkak të afërsisë së saj me rrënojat e qytetit të lashtë Altiburus, me kalimin e kohës ka nisur të zë vend në programin e kompanive turistike.
Qyteti i Lashtë Altiburus, historia e të cilit daton në 300-200 para Krishtit, është një nga qytetet e lashta që dëshmoi luftërat romake dhe berbere.
Qyteti, të cilin vendasit e quajnë “Medina”, ishte gjithashtu një nga qendrat e rëndësishme të Perandorisë Kartagjene, e cila sundoi në Tunizi për shumë vite.
Kthimi në shtëpi dhe një jetë e re
Artisti tunizian Belgis në një prononcim për AA tregon për rrugëtimin e tij artistik që zgjati prej vitesh dhe historinë e kthimit të tij në vendin e tij.
Belgis tha se pasi kishte jetuar jashtë vendit për shumë vite, ai vendosi të kthehej në vendin e tij. “Për gati 20 vjet kam udhëtuar në dhjetëra qytete në pjesë të ndryshme të botës. E kam shfaqur artin tim në qytetet që kam vizituar. U ktheva në vendlindje për të filluar një jetë të re. Doja të performoja artin tim në vendin tim ashtu siç doja”, tha ai.
Belgis shtoi se ai u vendos në qytetin Dahmani të provincës El Kef në kufirin algjerian. “Kjo shpellë nëntokësore afër Dahmanit është bërë punishtja ime e re. M’u deshën rreth 5 vjet për ta shndërruar shpellën, të cilën e dekorova me vepra të frymëzuara nga pemët, ujërat dhe rrënojat e qytetit antik Altiburus, në një qendër arti”, tha ai.
Qendra e artit dhe historisë
Duke shpjeguar qëllimin e tij për ngritjen e shpellës, Belgis tha: “Për t’i gëzuar vizitorët dhe për t’u mundësuar ta shijojnë këtë art, unë ekspozoj vepra që do t’i çojnë ata thellë në histori. Krahina e El Kefit ka qenë qendra e artit dhe kulturës për shekuj me radhë dhe unë kam mundësinë të prezantoj artin tim para mysafirëve që vijnë për të vizituar rajonin”.
Ai tha se priti mijëra vizitorë në këtë qendër arti, të cilën e quajti “Shpella e Artit”. “Kam përgatitur me përpikëri të gjitha dekorimet e shpellës deri në detajet më të vogla. Unë prezantoj trashëgiminë unike tradicionale të rajonit të El Kefit për artdashësit në forma të ndryshme. Ju midis pikturave të mia mund të shihni portrete të shumë figurave historike”, theksoi Belgis.
Një histori e dhimbshme dashurie: “Pusi i Dashurisë”
Belgis tha se ka edhe një “pus dashurie” në oborrin e saj të rrethuar me mure guri jashtë shpellës. “Ky pus është një vend që ka pritur një histori të dhimbshme dashurie. Historia e dashurisë së të dashuruarve Berberi, Marcando dhe Missar. Edhe pse Missar e do Marcandon, i cili është dhjetëra vjet më i ri se ajo, ajo nuk mund t’i tregojë atij. Marcando mëson për dashurinë e Missarit për të kur ai vdes duke mbrojtur qytetin e Altiburus kundër armikut”, u shpreh piktori tunizian.
Marcando, i cili ka një zë të ëmbël, ia vjedh zemrën Missarit me këngët që këndon në fillim të pusit ku vjen çdo ditë për të marrë ujë për shtëpinë e tij. Por, Marcando, i cili ka frikë nga diferenca në moshë mes tyre, nuk mund të shpjegojë dashurinë e tij për Missarin. Sipas rrëfimeve, Missar, e cila e mësoi këtë dashuri pasi vdiq Marcando, vinte gjithmonë në këtë pus dhe këndonte këngët e saj të dhimbshme derisa ndërroi jetë.
“Doja të performoja artin tim vetëm”
Belgis tha se ndihej shumë i lumtur në këtë qendër arti që krijoi në fshatrat e Tunizisë ku tha: “Vetminë e kam zgjedhur artistikisht. Mbeta vetëm për shkak të komunitetit të artit dhe mosmiratimit të autoriteteve për artin tim. Më duhej një punëtori ku do të mund të praktikoja artin tim, punishtja ime u kthye në një qendër arti me kalimin e kohës.”
Ai tërhoqi vëmendjen për barrierat financiare me të cilat përballen ndërmarrjet private në fushën e artit në Tunizi.
“Investimi privat i artistit në fushën e kulturës dhe artit lidhet me fuqinë financiare. Kjo është një nga arsyet pse solla projektin tim artistik këtu. Investimet shtetërore në këtë fushë janë shumë të kufizuara. Këtu po përpiqem të realizoj ëndrrën time me mundësi të kufizuara”, tha Belgis.