Guri i çmuar i madh, në formë të përsosur dardhe e quajtur “The Rock” nuk arrin as t’i afrohet çmimit rekord të diamantit prej 33 milionë dollarësh
“The Rock”, diamanti më i madh i bardhë i shitur ndonjëherë në ankand, u shit për 18.6 milionë franga zvicerane (18.8 milionë dollarë) të mërkurën në mbrëmje, shumë më pak se rekordi dhe çmimi i kërkuar për këtë perlë masive, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Shtëpia e ankandit Christie’s shpresonte të merrte një çmim prej 19 milionë deri në 30 milionë franga zvicerane për diamantin 228,31 karatësh, në formë dardhe.
Oferta në Hotel des Bergues të Gjenevës filloi me 14 milionë franga dhe zgjati dy minuta para se t’i shitej një ofertuesi përmes telefonit.
Çmimi përfundimtar për gurin më të madh se një top golfi, duke përfshirë taksat dhe premitë shtesë, arriti në 21.681.000 franga zvicerane.
“Ky gur i çmuar jashtëzakonisht i rrallë është gërmuar dhe lëmuar në Afrikën e Jugut mbi dy dekada më parë dhe është diamanti më i madh i bardhë që është shfaqur ndonjëherë për shitje në ankand”, sipas Christie’s.
Rekordi i ankandit për diamantin më të madh të bardhë mbahet nga një gur i çmuar 163,41 karatësh, i cili u shit në Gjenevë në nëntor 2017 për 33.701.000 dollarë.
“The Rock” ishte shfaqur në Dubai, Taipei dhe New York përpara shitjes në Gjenevë.
Artikuj të tjerë luksozë si bizhuteritë dhe orët e rralla të shitura në ankand tejkaluan çmimet e tyre të pritshme.
Christie’s tha se një gur tjetër i shitur për herë të tretë që nga viti 1901 ishte një diamant i verdhë intensive, në formë jastëku me peshë 205,07 karat – Diamanti i Kryqit të Kuq.
Ai ka arritur të shitet për një çmim prej 14.181.250 franga zvicerane, ku një pjesë e të ardhurave nga shitja i ka shkuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq./FolDrejt/