Po vazhdon ende ‘beteja’ mes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në njërën anë dhe mediumit Klan Kosova, ndërkohë që kjo e fundit e ka kritikuar këtë ministri se po paraqet në mënyrë mashtruese një situatë që nuk qëndron, transmeton Fol Drejt.
“Klan Kosova me përgjegjësi të plotë njofton sërish se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka vazhduar edhe të hënën të paraqesë në mënyrë mashtruese një situatë që nuk qëndron, me qëllim që të mbuloj dështimin e saj për të arsyetuar Vendimin e kundërligjshëm.
Fillimisht, MINT qëllimisht po informon në mënyrë selektive informata nga historiati i kompanisë, para se të bëheshin ndryshimet në dokumente, duke insistuar që adresa e pronarit të Klan Kosova është Serbia.
E vërteta është se me datë 20 qershor 2023 në çdo dokument të kompanisë qëndron vetëm Kosova dhe asnjë veprim i MINT pas këtij ndryshimi është pa bazë ligjore. Dy, MINT po bën shkelje ligjore edhe duke tentuar të interpretojë dokumente, jashtë fushëveprimit të saj, derisa çështjet e regjistrimit të bizneseve i takojnë Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Tre, MINT po vazhdon të bëjë shkelje ligjore duke tentuar t’i interpretojë edhe ligjet edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, derisa pushtetet sipas të njëjtës Kushtetutë janë të ndara, derisa ekzistojnë gjykatat përkatëse që e bëjnë këtë punë.
Katër, MINT edhe pse kur ka bërë shkeljen e fundit javën e kaluar me refuzimin e Ankesës së bërë nga Klan Kosova kishte udhëzuar që për hapat e mëtejshëm organ kompetent mbeten gjykatat, po vazhdon të lëshojë komunikata me argumente manipulative. Klan Kosova nuk do të ndalet në shpërfaqjen e së vërtetës dhe të gjitha shkeljet e MINT do t’i vërtetojë në gjykatë.”, thuhet në reagimin e Klan Kosovës.