Klina është komuna e dytë që është vendosur prej 10 ditësh në karantinë, pasi një shtetase iteliane që punonte në këtë qytet u konfirmua me koronavirus.
Kreu i Klinës, Zenun Elezaj, ka vlerësuar mirëkuptimin e qytetarëve të komunës së tij të cilët thotë po i përmbahet rregullave, ndërsa fton që të vazhdojnë të rrinë në shtëpi.
Ai ka treguar se sot së bashku me inspektorët ka inspektuar disa markete për të parë sa po i zbatojnë vendimet e qeverisë, ndërsa thotë se nuk ka mungesë të mallrave, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
NË KLINË PO RESPEKTOHEN VENDIMET PËR PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË VIRUSIT COVID-19
Bashkë me Komandantin e Stacionit të Policisë në Klinë, Ragip Bytyqin dhe inspektorë të komunës, kemi vizituar sot disa markete, ku kemi monitoruar respektimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës, si masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit COVID-19.
Kam kërkuar nga inspektorët e komunës që në vazhdimësi të bëhet inspektimi i zbatimit të vendimeve preventive të nivelit qendror dhe Shtabit Emergjent të Komunës, për bizneset të cilat e kanë të ndaluar të punojnë.
Është për t`u vlerësuar mirëkuptimi i qytetarëve në zbatim të këtyre masave, zbatimi i të cilave është shumë i rëndësishëm për mospërhapjen e virusit dhe që ka ndikuar që në Klinë mos të ketë raste tjera të infektuarve.
Por, për mposhtjen e këtij virusi, po ashtu është shumë e rëndësishme që gjatë këtyre ditëve të shtojmë kujdesin dhe të zbatojmë në përpikëri udhëzimet e profesionistëve shëndetësor.
Ilaçi më efektiv ndaj virusit është t`i shmangim kontaktet me personat e tjerë, të mbajmë higjienën.
Andaj apeloj që të shmangni daljet në mënyrë që të kujdesemi për shëndetin tonë, të prindërve, fëmijëve e shoqërisë.
Po ashtu, në të gjitha marketet nuk ka mungesë të mallrave, andaj nuk duhet të krijohet panik të qytetarët, pasi furnizimi po vazhdon në mënyrë të rregullt.