Bazuar në raportin e punës për vitin 2022 nga Klinika e Onkologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka pasur gjithsej 1 mijë e 736 raste të reja me sëmundje malinje.
Prej tyre, 425 raste me kancer të gjirit, 223 raste me kancer të mushkërive, 397 raste me probleme të traktit gastrointenstinal, 442 raste me probleme urogjenitale dhe gjinekologjike dhe 249 raste me kancer të kokës-qafës dhe indeve të buta, përcjell Fol Drejt.
Në klinikë, që ka kapacietet prej 12 shtretërve, ka pasur 348 pacientë të shtrirë për trajtim, me gjithsej 2 mijë e 348 ditë të trajtimit mjekësor.
Stafi i klinikës ka trajtuar 47 mijë e 351 raste ambulantore dhe ka ofruar 32 mijë e 272 cikle me citostatikë.
Në Shërbimin e Fizikës Mjekësore të kësaj klinike, gjatë vitit 2022 janë kryer 11 mijë e 741 shërbime në total, nga to janë realizuar dhe aprovuar edhe 2 mijë e 936 plane për trajtimin e pacientëve.
Ky shërbim në vitin 2022 ka rritur dukshëm numrin dhe kualitetin e shërbimeve, pra ka rritje të vëllimit të punës për 54 %, në krahasim me vitin 2022 dhe rritje për 149 %, krahasuar me vitin 2020.
Vitin e kaluar ka filluar aplikimi i tri teknikave të reja për trajtimin e pacientëve ( VMAT, IMRT dhe dMLC) ,po ashtu, është funksionalizuar Reparti i Brahiterapisë dhe janë bërë mbi 10 ekspertiza për mbrojtje nga rrezatimi për klinikat tjera të QKUK-së./FolDrejt/