Menaxheri i Liverpool-it, Jürgen Klopp, ka zbuluar se autoritetet britanike nuk e kanë lejuar të vizitojë në burg tenistin legjendar Boris Becker.
Dy ditë më parë, në intervistën e tij të parë pas shtatë muaj e gjysmë të kaluar në një burg britanik, Becker foli për mënyrën se si i kaloi ditët.
Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burg në prill, por u lirua më 15 dhjetor dhe më pas u deportua në Gjermani. Becker ka folur për mbështetjen që ka marrë nga Jürgen Klopp .
“Ne u takuam në Wimbledon shtatë vjet më parë. E organizoi gruaja ime. Ajo e dinte që doja ta takoja. E ndoqa karrierën e tij dhe isha fans i tij i madh. Ne qëndruam në kontakt ”, tha Klopp.
Strategu i Liverpool-it theksoi se ka pasur disa biseda telefonike me Becker-in.
“Ishte e rëndësishme për mua që ai e dinte që isha me të. Fatkeqësisht, nuk munda ta vizitoja sepse autoritetet lokale më shpjeguan se ishte shumë rrezik. Kjo nuk është e rëndësishme tani, e vetmja gjë e rëndësishme është që Becker të jetë sërish i lirë” , shtoi eksperti gjerman.
Klopp deklaroi se do të dëshironte ta shihte Becker-in në ndeshjet e Liverpool-it.
“Tani le të pushojë dhe ai është gjithmonë i mirëpritur në Liverpool nëse dëshiron të shikojë një ndeshje të ekipit tonë, edhe pse ai mbështet klube të tjera. I uroj shëndet dhe lumturi” , përfundoi Klopp, transmeton Fol Drejt.