Liverpool u përballë me Manchester United në Premier League, takim që “The Reds” fituan 4-0 përballë djajve. Një ndeshje e dominuar totalisht nga djemtë e Jurgen Klopp, me të besuarit e Rangnick që nuk mundën t’iu bënin ballë Salah&CO.
Pas kësaj ndeshje trajneri, Jurgen Klopp u shpreh se Manchester United nuk po kalon një moment të mirë në kampionat për shkak edhe të dëmtimeve të shumta që kanë lojtarët.
“Nuk është diçka shumë e zakonshme dhe nuk mendoj se ky rezultat do të bëhet normal, nuk është. Ata nuk janë në një moment të mirë të cilit i shtojnë disa lëndime. Në fakt, vetëm shikoni se kur Pogba u largua pasi u dëmtua në 10’ ata ishin pa shumë nga mesfusha e zakonshme dhe besoj se Rangnick nuk dëshiron të luajë me Bruno Fernandes dhe Matic atje në qendër. Asgjë kundër lojtarëve, por nuk është mënyra e tyre e zakonshme e lojës. Ne kishim praktikisht 75% të posedimit të topit dhe të detyruar të mbroheshim, gjë që nuk është e lehtë. Unë e kuptoj anën e tyre”, tha fillimisht Klopp.
Gjithashtu timonieri i “The Reds” kishte dhe një mesazh për Cristiano Ronaldon, i cili nuk mori pjesë në këtë ndeshje për shkak se ditën e hënë i ndërroi jetë njëri nga binjakët e tij të porsalindur.
“Të gjitha mendimet tona janë me Cristiano Ronaldon dhe familjen e tij. As që mund ta imagjinoj këtë situatë. Na vjen shumë keq për të”, përfundoi tekniku i Liverpool.