Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i Kosovës e ka quajtur diskriminuese dhe raciste marrëveshjen për burgje me Danimarkën.
“Prej kohës kur është nënshkruar marrëveshja midis Danimarkës dhe Kosovës, autoritetet daneze kanë pasur kohë të mjaftueshme sikur edhe mundësi të mëdha materiale ta ndërtojnë një burg në Danimarkë apo të përshtatin një objekt ku do t’i vendosnin të dënuarit, asnjëri nga ta shtetas i Danimarkës. Por qëllimi është se qartazi nuk duan të merren me ta prandaj ua shesin Kosovës për një afat 10 vjeçar, me një kompensim 210 milionë euro që kur të përpjesëtohet dhe hiqen investimet del të jetë një shumë e papërfillshme”, thuhet në reagimin për media të KMDLNj-së, përcjell Fol Drejt.
Ky këshill tha se me këtë marrëveshje, humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë.
“Me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë që, as për së afërmi nuk do të trajtohen sikur të burgosurit e importuar nga Danimarka, në asnjë aspekt. Në aspektin afatgjatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë humbës i padiskutueshëm sepse për shkak të dallimeve jonormale të trajtimit brenda një sistemi unik juridik të një vendi, këta do të përballen me revoltën e të dënuarve vendas”.
“Pastaj, të burgosurit nga Burgu i Gjilanit duhet të vendosen në qendra të tjera që e ruajtjen e një mjedisi social përmes vizitave dhe takimeve me familjarë. Brenda SHKK–së, nuk po ka guxim të kundërshtohet kjo marrëveshje shkaku se mund t’i humbin vendet e punës sikur që në skenë tani është një garniturë karrieristësh që nuk marrin fare vesh me punën e Shërbimit Korrektues prandaj po favorizojnë bashkëpunëtorë me një të kaluar aspak të mirë e që shumë e kanë dëmtuar Shërbimin Korrektues të Kosovës, i cili, përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, ka qenë shërbim shumë i mirë dhe i suksesshëm, krahasuar me vendet e rajonit. Tash, ndërhyrjet politike në punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë kapitale”, thuhet në njoftim.
KMDLNj ka thënë se të burgosurve që do të vendosen, siç thuhet në njoftim, “dhunshëm në Kosovë nga Danimarka”, do t’iu shkelen të drejtat e njeriut.
“Të burgosurve që do të vendosen dhunshëm në Kosovë nga Danimarka do t’iu shkelen të drejtat e njeriut duke filluar nga trajtimi në baza raciste që ua bëjnë autoritetet daneze. Në Kosovë do të përballen me probleme të vizitave sidomos për fëmijët e tyre dhe anëtarët e moshuar të familjes. Do të kenë probleme të trajtimit të rasteve të rënda shëndetësore të cilat nuk do të trajtohen brenda Burgut të Gjilanit. Do të kenë problem të komunikimit me stafin sikur edhe të përshtatjes në një mjedis tjetër social. Do të jetë problem i shfrytëzimit të beneficioneve dhe probleme tjera”, thuhet në njoftim.
“KMDLNj e kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje dhe, në një kohë të përshtatshme do t’i drejtohet të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur edhe autoriteteve daneze. Vota për këtë Marrëveshje është votë për racizmin dhe për diskriminimin e personave të privuar nga liria. Prandaj, analizojeni mirë këtë marrëveshje, sidomos pasojat që do të jenë të pashmangshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për të privuarit dhe të dënuarit kosovarë. Nëse votohet kjo marrëveshje, atëherë do të jetë legalizim i Zajednicës daneze në sistemin Korrektues të Kosovës ku do të kemi dy sovranitete korrektuese brenda një shteti të vetëm”, thuhet tutje në njoftim./FolDrejt/