Pas dështimit të marrëveshjes mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të cilët në reagimin e tyre kanë konsideruar se zyrtarët e BE-së nuk janë treguar të paanshëm ndaj Serbisë dhe Kosovës dhe se janë rreshtuar në anën e Serbisë.
“Marrëveshja për targa midis Kosovës dhe Serbisë nuk përfundoi siç pritej për faktin se kushtëzohej me një kërkesë të papranueshme dhe jonormale për një shtet sovran dhe të pavarur. Ndërmjetësi aspak i pavarur, Joseph Borrell dhe i rreshtuar në mbrojtje të interesit të Serbisë, bashkë me Lajçak, që nga fillimi i “ndërmjetësimit“ deklaroi se Vuçiqi qenka treguar konstruktiv.
“Ku qëndroka konstruktiviteti i Vuçiqit dhe i Serbisë, sipas Borrellit? Vuçiqi paska pranuar që Serbia mos t’i pajisë serbët e Kosovës me targa ilegale KM, PSH, UR, GNJ etj. e që paraqet nonsense në marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura për faktin se ky veprim i deritashëm i Serbisë paraqet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti e që ishte lejuar deri më tani sikur që BE edhe tash, përmes “negociuesve të pavarur“ e përligj këtë gjendje”, ka reaguar KMDLNJ.
“Në rastin konkret, Serbia por edhe BE –e çështjen e targave e kanë shfrytëzuar për të krijuar tensione dhe për ta ruajtur praninë e Serbisë në Kosovë përmes instrumentalizimit të serbëve të veriut të Kosovës në ndërkohë që serbët në pjesët tjera të Kosovës i përdorin targat që i përdorin të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës,” thuhet tutje në reagimin e KMDLNJ-së.
Të njëjtët, njëherit konsiderojnë se Kosova nuk qëndron më keq se Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqiperia që të mos përfitojë nga liberalizimi i vizave./FolDrejt/