Forcat kolumbiane të sigurisë kanë arrestuar trafikantin më të kërkuar për drogë në vend, i cili ndodhej në arrati prej më shumë se një dekade duke korruptuar zyrtarë shtetërorë.
Dairo Antonio Usuga u transferua në Bogota mbrëmjen e së shtunës nga baza ushtarake Carepa, në Antioquia, me një avion policie.
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Ushtarake Luis Fernando Navarro tha të shtunën se për kapjen e kriminelit, siç dhe e cilësoi ai, kishin bashkëpunuar të gjitha strukturat e sigurisë.
Presidenti Iván Duque e krahasoi arrestimin e Usugas me kapjen tre dekadave më parë të Pablo Eskobarit.
Usuga, i cili njihet kryesisht me pseudonimin Otoniel, dyshohet të jetë kreu i ashtuquajturit “Klani i Gjirit”, ushtria e të cilit ka terrorizuar pjesën më të madhe të Kolumbisë veriore për të fituar kontrollin e rrugëve kryesore të kontrabandës së kokainës, përmes xhunglave të dendura në veri, drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.
Ai ka qenë prej kohësh pjesë e listës së personave më të kërkuar të administratës amerikane, për kapjen e të cilit ishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Ai u akuzua për herë të parë në vitin 2009, në gjykatën federale të Manhatanit, mbi akuza të lidhura me lëndët narkotike e rreth dyshimeve se kishte ndihmuar një grup paramilitar të ekstremit të djathtë, të përcaktuar si një organizatë terroriste nga qeveria amerikane.
Në padi të mëvonshme në gjykatat federale të Bruklinit dhe në Miamit, ai u akuzua për futjen në SHBA të paktën 73 tonëve kokainë, mes viteve 2003 dhe 2014, përmes vendeve si Venezuela, Guatemala, Meksika, Panamaja dhe Hondurasi.
Autoritetet thanë se informacionet e zbulimit të ofruara nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe çuan më shumë se 500 ushtarë dhe punonjës të forcave speciale të Kolumbisë, në mes të xhunglës atje kur Usuga strehohej, një vendndodhje që mbrohej nga tetë zinxhirë njerëzish të armatosur.