Kufijtë e dy vendeve u mbyllën fillimisht në vitin 2015 për shkak të një rritjeje të kontrabandës nga Venezuela.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro e cilësoi sot si historike “për vendin, rajonin më të gjerë dhe kontinentin amerikan në përgjithësi” , duke iu referuar hapjes së kufirit me Venezuelën pas vitesh tensioni mes dy vendeve, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Një kamion mallrash kaloi urën kufitare Simon Bolivar për në shtetin venezuelian të Tachira për herë të parë në gati shtatë vjet. Së shpejti do të rikthehet lidhja ajrore mes dy vendeve.
Vetëm kohët e fundit u rivendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve të Amerikës Latine, pasi zgjedhja e Petro në presidencën e Kolumbisë (presidenti i parë i majtë i vendit) ndryshoi situatën dhe solli një afrim gradual midis dy qeverive.
Kufijtë e dy vendeve u mbyllën fillimisht në vitin 2015 për shkak të rritjes së kontrabandës nga Venezuela dhe përleshjeve që shpërthyen në kufirin midis kontrabandistëve kolumbianë dhe ushtarëve venezuelas. Tensionet u ndezën në vitin 2019 kur qeveria kolumbiane, në bashkëpunim me SHBA-në, u përpoq t’i dërgonte kamionë ndihmash liderit të opozitës venezueliane, Juan Guaido.
Për vite me radhë, Venezuela është rrënuar nga kriza politike dhe ekonomike. Më shumë se gjashtë milionë venezuelianë janë larguar nga vendlindja e tyre dhe gati dy milionë prej tyre jetojnë në Kolumbi./FolDrejt/