Njëmbëdhjetë inxhinierë ushtarakë kolumbianë do të trajnojnë ushtarët ukrainas për heqjen e minave tokësore, theksoi të hënën ministri kolumbian i Mbrojtjes, Diego Molano.
Inxhinierët “do të trajnojnë dhe përmirësojnë teknikat dhe procedurat taktike të heqjes së minave tokësore në një vend fqinj anëtar të NATO-s”, tha Molano në llogarinë e tij në Twitter, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se të premten e kaluar u takua me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili ftoi Kolumbinë të marrë pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të Ukrainës, i cili ka më shumë se 40 vende anëtare.
Molano tha se Kolumbia është e përkushtuar të mbështesë Ukrainën jo vetëm me ndihma humanitare, por edhe duke ndarë njohuritë për heqjen e minave tokësore.
Presidenti amerikan, Joe Biden, konfirmoi në prill inkorporimin e Kolumbisë si një aleat shtesë në NATO, pasi qëllimi u shpall disa javë më parë.
Kohët e fundit, Molano nënshkroi një marrëveshje me NATO-n mbi një program partneriteti, sipas të cilit NATO mbështet Kolumbinë në përpjekjet e saj për të zhvilluar forcat e saj të armatosura, ndërsa Kolumbia ofron trajnime për çminim për aleatët e NATO-s.
“Kolumbia, si gjithmonë, është e përkushtuar ndaj vlerave të lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe në këtë rast po jep kontribut konkret si një vend partner global i NATO-s”, tha ai.
Kolumbia ka përvojë të madhe në heqjen e minave tokësore që janë vendosur nga grupet guerile, duke përfshirë Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë gjatë konfliktit të saj të armatosur 60-vjeçar me qeverinë./FolDrejt/