Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia tha se nuk ka zgjidhje ushtarake për situatën në Kosovë dhe se duhet të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake, ka vetëm zgjidhje politike. Ne, ushtria, mund të bëjmë kushte sigurie për të mbajtur dialogun gjallë”, shkruan “Tanjug” t’i ketë thënë Ristuccia gazetës italiane “Republica”.
“Dua të jem optimist dhe mendoj se kjo që ndodhi mund t’i bëjë palët të mendojnë më me mençuri. Nëse kjo nuk ndodh, KFOR-i do të duhet të përfshihet më shumë”, tha Ristuccia.
Ai shtoi se situata në veri të Kosovës aktualisht është më e qetë, por se ende është “thellësisht e paqëndrueshme”.
I pyetur nëse është e mundur që KFOR-i të zëvendësojë Policinë e Kosovës në zonat ku ka tensione më të mëdha, Ristuccia thotë se ky është një vendim politik që merret në koordinim me NATO-n.