Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, përgëzoi ushtarët italianë që u lënduan në përleshjet e 29 majit në Zveçan për ndërhyrjen e tyre në parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Gjatë vizitës që u bëri kontingjentit të ushtarëve të lënduar italian në kampin Villaggio Italia në Pejë, komandanti i KFOR-it, tha se ata parandaluan përplasjet që mund të çonin në viktima civile.
“Jini krenarë për atë që keni bërë, keni vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke u ndërhyrë mes dy palëve të kundërta dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile”, citohet të ketë thënë Ristuccia.
Ushtarët e lënduar italianë do të kthehen në Itali për rikuperim ndërkohë që shumica e ushtarëve hungarezë të plagosur tashmë janë transportuar në shtëpi dhe janë transferuar në spitale. Në përleshje u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga armë zjarri. /REL/