Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dënon sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj fëmijës K.M, 7- vjeçare, nga një person i moshës madhore në Komunën e Istogut.
KOMF kërkon nga institucionet përgjegjëse të ndërrmarrin masat sipas legjislacionit në fuqi për ndëshkimin e personit të dyshuar për ushtrim të dhunës.
Sipas informacioneve të publikuara në media, raportohet që “7-vjeçarja, bashkë me disa fëmijë të tjerë, kohë pas kohe, paraqiteshin në afërsi të dyqanit për të kërkuar lëmoshë. Ndërkaq, sipas pronarëve të vetë dyqanit, fëmijët nuk shkaktonin ndonjë problem.”
Prandaj, KOMF kërkon nga Qendra për Punë Sociale në Komunën e Istogut të vlerësoj rastin dhe të ofrojë shërbimet sociale dhe familjare për fëmijën dhe familjen.
Poashtu, përmes këtij reagimi KOMF shpreh shqetësimin për nivelin e lartë të ushtrimit të dhunës ndaj fëmijëve në Kosovë, duke potencuar që ndalohet çdo formë e dhunës në secilin ambient, në familje, institucione edukativo arsimore, në institucionet e kujdesit, organet e rendit dhe sistemit të drejtësisë dhe komunitet.
Institucionet për mbrojtjen e fëmijës janë të obliguara të zhvillojnë dhe zbatojnë programet sociale që ofrojnë mbështetje për fëmijën dhe familjen, me qëllim që të parandalohet rreziku për jetën, dhunën, neglizhimin, abuzimin dhe shfrytëzimin.
KOMF kërkon nga institucionet përkatëse që të zhvillojnë dhe zbatojnë programe edukative që sensibilizojnë qytetarët mbi vlerat dhe rëndësinë e diversitetit, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe kujdesin ndaj fëmijës.