Komisioni për Çështje të Sigurisë ka diskutuar me dyer të mbyllura kur janë përmendur kazinot në Karaçevë. Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha ka kërkuar nga mediat që të lirojnë sallën, ku më pas është vazhduar diskutimi me dyer të mbyllura. Në mbledhjen e së martës janë miratuar edhe tri projektligje.
Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë kanë miratuar në parim projektligjin për Tubime Publike, Sigurinë Kibernetike dhe për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni ka folur për ikjen e pjesëtarëve të FSK-së nga vendi. Për çka ka propozuar që të kërkojnë informacione nga Ministria e Mbrojtjes.
“Kishte me qenë mirë ne si komision t’ia bëjmë një pyetje me shkrim ministrit, se a është e vërtetë se ka rritje të numrit të pjesëtarëve të FSK-së që po largohen. Dhe si është interesimi i tyre për të konkurruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës?”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i komisionit Bekë Berisha i cili ka ngritur çështjen e kazinove në Karaçevë, ka kërkuar që të mbyllet komisioni për media.
“Në Karaçevë është paraqitur një problem tjetër… janë hapur kazinot. Si rregullohet ajo punë, MPB-ja ju ka thënë se duhet me thirr KFOR-in se është e përcaktuar. A mundeni të na i lironi sallën se po e mbyllim?”, ka thënë Berisha.
Mbledhja e komisionit ka vazhduar me dyer të mbyllura./kp/