Ideja bazë është të dekurajohen vendet e treta nga bllokimi i eksporteve të produkteve strategjike në Evropë.
Brukseli do të paraqesë deri në mes të shtatorit draftin e një instrumenti të ri , qëllimi i të cilit do të jetë mbrojtja e tregut të brendshëm të BE-së në rast krize dhe, nëse është e nevojshme, të detyrojë prodhuesit e produkteve me rëndësi strategjike t’i shërbejnë Evropës si një prioritet, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Nëse ka mungesë të mallrave kritike, Brukseli do të jetë në gjendje t’i detyrojë industritë t’i japin përparësi porosive evropiane mbi ato kineze ose amerikane, nën kërcënimin e gjobave, sipas një dokumenti të cituar nga AFP.
Masa, e bazuar në rregullat tashmë të vendosura në SHBA, shihet si një armë ” hakmarrëse ” që BE do të preferonte të mos e përdorte, shpjegoi një burim evropian. Ideja bazë është të dekurajohen vendet e treta që të bllokojnë eksportin e produkteve strategjike në Evropë, si SHBA-të që kishin ndaluar eksportin e vaksinave Covid-19 gjatë pandemisë.
Ky propozim do të paraqitet më 13 shtator, tha një burim tjetër. Më pas do të duhej të miratohej nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare, një proces që mund të zgjasë shumë muaj, ndoshta një vit.
Organi që do të mbrojë tregun unik u shpall nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në shkurt të vitit 2021 , me rastin e ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit për shkak të pandemisë.
Para se të shfaqet një krizë, mund të shkaktohet një fazë “mbikqyrjeje”, nën kontrollin e shteteve anëtare, nëse ekziston rreziku i mungesës. Industrive mund t’u kërkohet të japin informacione të caktuara, si p.sh. aftësitë e tyre prodhuese. Në këtë fazë, Komisioni dëshiron të jetë në gjendje t’u kërkojë vendeve të grumbullojnë rezerva strategjike.
Teksti, i hartuar nga Komisioneri i Tregut të Brendshëm Thierry Breton, thekson gjithashtu se kufizimet në lëvizjen e mallrave dhe njerëzve midis vendeve anëtare duhet të minimizohen.
Komisioni gjithashtu mund të blejë produkte në emër të vendeve anëtare, bazuar në modelin e ndjekur me vaksinat Covid-19./FolDrejt/