Kompania italiane e energjisë Eni dhe Korporata Kombëtare e Naftës (NOC) e Libisë nënshkruan një marrëveshje prodhimi gazi prej 8 miliardë dollarësh që synon të rrisë furnizimin me energji në Evropë, pavarësisht pasigurisë dhe kaosit politik në vendin e Afrikës Veriore, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Marrëveshja, e nënshkruar të shtunën gjatë një vizite në kryeqytetin Tripoli nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, synon të rris prodhimin e gazit për tregun e brendshëm libian, si dhe eksportet përmes zhvillimit të dy fushave të gazit në det të hapur.
Prodhimi do të fillojë në vitin 2026 dhe do të arrijë një sasi prej 21 milionë metra kub në ditë, tha “Eni” në një deklaratë.
“Kjo marrëveshje do të mundësojë investime të rëndësishme në sektorin energjetik të Libisë, duke kontribuar në zhvillimin lokal dhe krijimin e vendeve të punës, duke forcuar rolin e Eni-t si një operator kryesor në vend”, tha shefi ekzekutiv i saj Claudio Descalzi.
Gjatë vizitës së saj, Meloni u takua me kryeministrin e Libisë Abdulhamid Dbeibah, kreun e Qeverisë së Unitetit Kombëtar (GNU) të njohur ndërkombëtarisht në Tripoli, për bisedime që u fokusuan gjithashtu në migrimin në të gjithë Mesdheun. /FolDrejt/