Sanksionet e SHBA-së kundër gazsjellësit “Nord Stream 2” kanë bërë që të paktën 18 kompani europiane të ndërpresin veprimtaritë e tyre, sipas një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas raportit, Grupi i Sigurimeve të Zyrihut dhe grupi i inxhinierisë civile “Bilfinger” janë vetëm dy nga kompanitë që kanë braktisur tubacionin e diskutueshëm të gazit.
“Këshillimet me aleatët dhe partnerët kanë qenë të vazhdueshme dhe të fuqishme”, shkruhet në raport.
“Departamenti i Shtetit është këshilluar gjerësisht me qeveritë e huaja përmes etapave, angazhimit të vazhdueshëm me Ambasadorët dhe përfaqësuesit e niveleve të larta të qeverisë në kryeqytetet europiane dhe takimeve me Shtetet Anëtare të BE-së, si edhe vendet e tjera përkatëse europiane në Uashington D.C deri më shkurt 2021”, vazhdon ai.
Departamenti amerikan i Shtetit ka argumentuar se tubacioni gazsjellës, që do të sjellë gaz natyror nga Rusia drejtpërdrejt në Gjermani përmes Detin Baltik, minon sigurinë transatlantike, duke e bërë Europën shumë të varur nga furnizimet e energjisë ruse.
Gazsjellësi, gjithashtu, do të anashkalojë Ukrainën, duke privuar fqinjin dhe konkurrencën gjeopolitike të Rusisë nga tarifat e tranzitit që merr për transportimin e gazit rus në pjesën tjetër të Europës.
Megjithatë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, vazhdon të mbështesë “Nord Stream 2” dhe ka argumentuar se është thjesht një sipërmarrje biznesi.