Komuna e Mitrovicës, bëri sot me dije kryetari, Bedri Hamza, së bashku me bashkëpunëtoret e tij, gjatë ditës së sotme, ka zhvilluar një takim me investitorë e sipërmarrës nga disa vende të botës, të cilët pritën me shumë interesim që të njihen me potencialet që qyteti i Mitrovicës ofron për zhvillimin e biznesit.
Por, në komunikatën e zyrës për informim, Kalifornia dhe Pensilvania u llogaritën si dy shtete të pavarura nga SHBA-ja.
“Në këtë takim të pranishëm ishin sipërmarrës nga vendet më të zhvilluara ekonomikisht si, SHBA, Gana, Nepali, Gjermania, Kalifornia, Pensilvania, të cilët ishin të shoqëruar nga ish-ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Ahmet Shala”, thuhet në komunikatë.
Aty bëhet me dije se “Hamza ka potencuar se Mitrovica ka qenë qyteti më industrial në Kosovë, por si pasojë e rrethanave të caktuara sociale e politike, aktualisht nuk e kemi fuqinë ekonomike të dikurshme, por jemi duke punuar me përkushtim që këtij qyteti ti kthehet imazhi i duhur në sport, kulturë dhe në sferën e zhvillimit ekonomik”.
“Qyteti i Mitrovicës, ndonëse i ndarë në dy komuna, me një bashkëjetesë të mirë të dy nacionaliteteve, si një pasuri e madhe e qytetit, i cili synon integrim të barabartë të nacionaliteteve dhe sigurimin e një bashkëjetese dhe mirëqenie më të mirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën tonë” , citohet të ketë thënë kryetari Hamza.