Komuna e Prishtinës bëri thirrje që shitësit ambulantë të lirojnë hapësirat publike, në trotuare e rrugë, në afërsi të “Tregut të automjeteve” në zonën industriale në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.
Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se më 31 korrik do të nisë aksionin nën asistencën e Policisë për lirimin e hapësirave, rrugëve dhe trotuareve.
Rrugët dhe trotuaret që duhet të lirohen janë rrugët “Dervish Çollaku”, “Epiri” dhe “Aziz Abrashi”.
“Luten të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të Tregut të automjeteve, për shkak se pas datës së cekur më lartë, në asnjë mënyrë nuk do të lejohen të operojnë jashtë ambienteve të Tregut dhe në hapësira të cilat janë të destinuara për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve”.
“Aksioni është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme të cilat ndërlidhen me sistemimin e shitësve ambulantë brenda hapësirave të përcaktuara si tregje për shkak se, përveç uzurpimit të hapësirave publike, shitja e produkteve ushqimore në kushte të papërshtatshme higjienike përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve të Kryeqytetit dhe më gjerë”, thuhet tutje në njoftim të Komunës.