Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga data 31 janar do të aplikohen tarifa të reja për linjat e Trafikut Urban në kryeqytet.
“Komuna e Prishtinës në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë mes Trafiku Urban Prishtinë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me qëllim të përmirësimit të shërbimit të transportit publik dhe inkurajimit të qytetarëve për përdorimin e autobusëve, ka riorganizuar planin e tarifimit.
Për të gjithë përdoruesit e rregullt, çmimi i biletës mujore nga 14.00€ do të zbresë në 13.50€”, thuhet në njoftim, përcjell Fol Drejt.
“Në anën tjetër, për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kemi përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe:
• Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€
• Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€
Një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€”, thuhet tutje në njoftim.
Kartelat javore dhe mujore mund të blihen në pikat e shitjes së Trafikut Urban:
Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”),
Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, (tek ”Banesat e Bardha”).
Ndërsa, Biletat Ditore 24 orëshe dhe ato me një drejtim, mund të blihen në autobus, duke u pajisur me kupon fiskal./FolDrejt/