Asociacioni i Komunave të Kosovës ia ka adresuar disa kërkesa Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Në një takim të mbajtur ndërmjet këtij asociacioni, i udhëhequr nga kryetari i saj Agim Aliu, janë përsëritur pesë kërkesa, të cilat nuk janë të reja.
Këto kërkesa janë:
- Themelimi i Grandit të Katërt që do të krijojë barazi për komunat e Kosovës;
- Përshpejtimi i procedurave në nxjerrjen e akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë;
- Kthimin e pronave të menaxhuara aktualisht nga Agjencia Kosovare e Pronave, në menaxhim të Komunave, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror;
- Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat dhe,
- Të rikthehet Projektligji për Prokurimin Publik për plotësim ndryshime sepse aktualisht po shkakton telashe e vonesa në nivelin lokal në kryerje të shumë punëve e zhvillimin e projekteve.
Sipas Aliut, për shumë sfida kanë propozuar zgjidhje, por që ende janë “në pritje të adresimit nga nivele ministrore në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke ditur se si të tilla, këto propozime e rrjedhimisht edhe zgjidhjet për to, ndikojnë në shkallë të gjerë e rrënjësisht, në përditshmërinë e punës së pushtetit lokal e që po ashtu, të tillat janë jo në kompetencën e vendimmarrjes sonë, por të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai./FolDrejt/