Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Drejtësisë ka dalë me një komunikatë, e cila flet lansimin e raportit vlerësues krahasimor të të dhënave për funksionimin e sistemit të drejtësisë gjatë viteve 2014-2020
Kjo është komunikata e plotë që e ka lëshuar Ministria e Drejtësisë, përcjell FolDrejt:
Prishtinë, 1 mars 2022 – Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në këtë ngjarje me rëndësi tejet të veçantë, me ç’rast u bë lansimi i raportit vlerësues krahasimor të të dhënave për funksionimin e drejtësisë gjatë periudhës 2014-2022.
Duke vlerësuar lartë përpilimin e këtij raporti, ministrja Haxhiu u shpreh se e konsideron metodën e analizës së të dhënave si shumë të rëndësishme për identifikimin e problemeve në sistemin e drejtësisë, dhe mbi këto të gjetura do të hartohen edhe politika të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë.
“Kjo metodologji përdoret nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe ka për qëllim të analizojë funksionimin e sistemeve gjyqësore dhe të orientojë politikat publike të drejtësisë dhe të arrihen njohuri më të mira të kornizave kohore gjyqësore, si dhe të optimizojë menaxhimin e kohës gjyqësore. Kjo dëshmon përkushtimin e Kosovës për të arritur standardet dhe praktikat ndërkombëtare që do ta lehtësojnë edhe më tej integrimin evropian të shtetit tonë”, potencoi ministrja Haxhiu.
Ky raport është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet relevante të drejtësisë: Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Odën e Avokatëve dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas përmes projektit të mbështetur nga Këshilli i Evropës bazuar në metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) për vlerësimin e sistemeve gjyqësore.
Ministrja Haxhiu theksoi para të pranishmëve se kjo analizë e të dhënave sipas metodologjisë së CEPEJ është përdorur si indikator thelbësor edhe në Strategjinë e Sundimit të Ligjit 2021-2025 hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe po përdoret edhe në Strategjinë për Zhvillim 2030 e cila është në proces e sipër nga Zyra e Kryeministrit./FolDrejt/