Gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, Milo Gjukanoviq është mirëpritur nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, raporton Fol Drejt.
Me këtë rast, presidentja ka shfrytëzuar rastin të flas edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Ajo e ka çmuar lart raportin ndërshtetëror të Kosovës me këtë shtet, ndërsa ka theksuar se këto raporte duhet të vijojnë të kultivohen.
Duke iu referuar trupës teknike për çështjen e kufirit – që ishte paraparë në deklaratën mes dy presidentëve të mëhershëm (të Kosovës dhe Malit të Zi), ka vënë në dukje faktin se një gjë e tillë mund të bëhet me diskutime miqësore.
“Sa i përket çështjes së Demarkacionit, Republika e Kosovës i ka ratifikuar tri dokumente në Parlamentin e saj – e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklarata e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi dhe e treta ka qenë raporti i Komisionit Shtetëror për çështjen e kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë dhe në përputhje me parimin e raporteve të shkëlqyeshme miqësore”.
“Edhe çështja e trupit të përbashkët teknik i cili është paraparë në deklaratën e atëhershme ndërmjet dy presidentëve është një çështje e tillë teknike e cila do të realizohet gjithnjë nëpërmjet diskutimeve miqësore dhe përmbajtësore ndërmjet dy vendeve tona, gjithnjë duke vlerësuar se raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë vetëm duke pasë parasysh miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve”.
Pavarësisht çështjes që mbetet ende e diskutueshme, presidentja ka thënë se të dyja vendet nuk duhet të lejojnë që të prishen raportet, duke qenë se edhe ashtu ka mjaft faktorë që mund të ndikojnë në destabilizimin e situatës./FolDrejt/