India ka konfirmuar vdekjen e parë të shkaktuar nga lija e majmunëve në shtetin jugor të Kerala.
Një 22-vjeçar, i cili së fundmi kishte udhëtuar drejt shtetit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka ndërruar jetë të shtunën, bën me dije BBC.
Ministrja e Shëndetësisë në Kerala, Veena George tha se i riu fillimisht kishte rezultuar pozitiv për virusin jashtë vendit. Mostrat e testuara pas vdekjes së tij gjithashtu zbuluan virusin, tha ajo të hënën.
Kjo është vdekja e katërt nga lija e majmunëve e raportuar globalisht, jashtë Afrikës.
Njëzet kontakte të ngushta të 22-vjeçarit janë kategorizuar si “rrezik i lartë” dhe janë izoluar. Këtu përfshihen miqtë e tij, familja dhe nëntë persona me të cilët ka luajtur futboll kohët e fundit.
Sëmundja shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit, një anëtar i së njëjtës familje virusesh si lija, megjithëse është shumë më pak e rëndë dhe ekspertët thonë se shanset për infektim janë të ulëta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli përhapjen e lisë së majmunëve një emergjencë globale shëndetësore muajin e kaluar. /abcnews.al/