Pak kohë përpara Kongresit të Berlinit u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit e cila kishte për qëllim, njohjen e pavarësisë mbarë shqiptare si dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve. Për këto dy qëllime Lidhja ngarkoi dy delegacione, të cilat parashtruan peticionet e përpiluara nga përfaqësuesit shqiptarë të Lidhjes si dhe një peticion të 11 prej intelektualëve më të shquar me vlera të larta në Stamboll . Lidhur me kërkesat për autonomi u ngarkua delegacioni shqiptar që u nis në Portën e Lartë , i cili synonte të siguronte mirëkuptimin e saj për t’i dhënë shqiptarëve autonominë nën protektoratin Turk. Delegacioni shqiptar kërkonte njësimin e vilajeteve në një administratë unike mbarë shqiptare, me administratë, buxhet, dhe ushtri e kulturë të vetën. Delegacioni i dytë i udhëhequr nga Abdyl Frashëri dhe Ali Vrioni parashtroi gjithashtu kërkesat shqiptare për autonomi duke argumentuar dhe arsyetuar kërkesat për autonomi pranë delegacionit Britanik. Delegacionet që vinin nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit argumentonin nevojën e krijimit të Shtetit shqiptar jo vetëm me të drejtën etnike dhe historike, por edhe me nevojën për të mos lejuar sllavizmin të zotërojë Ballkanin pas të cilit fshihej Rusia. Shqiptarët u arsyetuan për atë që nuk morrën pjesë në kualicionin anti-osman duke argumentuar që kjo i hapte shteg interesave sllavo-Ruse në Ballkan. Kjo tezë përputhej me interesat Austro-Hungareze dhe Italiane por gjithashtu i konvenonte edhe Britanisë së Madhe e cila synonte ruajtjen e kontrollit mbi Mesdheun. Delegacioni shqiptar ishte i vendosur për të mos lejuar copëtimin e trojeve etnike shqiptare nga lakmitë e vendeve monarkiste fqinje prandaj kërkesave të tjera iu bashkangjit edhe kjo kërkesë. Krahas këtyre peticioneve, kemi edhe peticionin i cili u paraqit në Kongres nga paria e Mirditës, e cila kërkonte të respektohej kjo zonë shqiptare katolike si një trevë e pavarur. Edhe pse ky peticion ishte i bazuar në koncepte fetaro-krahinore, gjithsesi duhet të konsiderohet si tentativë ndërkombëtarizimi për çështjen shqiptare përballë Portës së Lartë.
Shtëpia ku u takua delegacioni i ngushtë i Lidhjes së Prizrenit
Xhamia e Bajraklisë në Prizren në afërsi të Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit. Sipas të gjitha fakteve dhe të dhënave, Lidhja e Prizrenit është mbajtur në xhami pasi që numri i pjesëmarrësve ka qenë aq i madh sa nuk ka mundësi të jetë në Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit.
Traktati i Berlinit dhe Harta e re Ballkanike
Kërkesat e delegacioneve pjesëmarrëse në Kongres ishin të shumta prandaj Porta e Lartë u gjend e tronditur. Nga ky Kongres rezultoi ndarja e re e Ballkanit në dëmin e Perandorisë Osmane dhe krijimi dhe njohja e një sërë shtetesh të reja në Ballkan.Në plan të gjërë, nga Harta e re Ballkanike përfituan Rusia, e cila morri Besarabinë në Evropë dhe pjesë të konsiderueshme në Azi, Austria e cila siguroi pushtimin e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe Sanxhakun e Novi Pazarit kurse Britania morri ishullin e Qipros. Italia ndjehej e dobët dhe e parakohshme për të kapërcyer Adriatikun prandaj nxitjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për marrjen e Shqipërisë as nuk e kundërshtonte dhe as nuk e realizonte atë.
Kongresi i Berlinit njohu krijimin e shteteve të reja në Ballkan , Sërbia, Rumania dhe Mali i zi, kurse Bullagaria u njoh siç ishte përcaktuar në Traktatin e Shën Stefanit, si një vend autonom me qeveri të krishtere por nën sovranitetin të Perandorisë Osmane. Në Kongres u reduktuan kërkesat e Malit të Zi nga se iu hoqën Ulqini, Gruda dhe Kelmendi, poashtu edhe Sërbisë iu hoqën viset në drejtim të Mitrovicës dhe Prishtinës, kurse Bullgarisë iu hoqën vise të Nishit, Trenit dhe Vranjës. Kërkesat e Greqisë sidomos pretendimet greke për zgjerim në Epirin e Veriut u konsideruan të tepërta nga ana e delegacionit britanik.
Nga Traktati i Berlinit doli e pakënaqur Rusia sepse nuk mundi që ti realizojë synimet e saja prej Azisë deri në Ballkan. Edhe Austro-Hungaria doli e pakënaqur nga kjo marrëveshje e nënshkruar nga se ambicja e saj për të dalur në ujërat e ngrohta mbeti vetëm një ëndërr. E vetmja alternativë për ta realizuar këtë mbeti Shqipëria, mirëpo ajo nuk do të rezikonte të konfrontohej fillimisht me sllavët e më pastaj me interesat e Italisë të cilën e kishte aleate.
Franca doli nga më të dobtat nga Traktati i Berlinit. Ajo doli e tronditur nga revanshi Gjermano-Italo-Austriak kundër Rusisë.Edhe Britania e Madhe doli e shqetësuar nga ecuria e ngjarjeve. Ajo ishte e shqetësuar me rritjen e pranisë politike dhe ushtarake sllave në Ballkan, gjë që mund të rezikonte lirinë e lundrimeve detare të Britanisë si dhe korrideret e saj detare drej Azisë. Sa u takon Monarkive Ballkanike, edhe ato shprehën pakënaqësinë nga Marrëveshja e Berlinit për shkak të mospërputhjeve që kishte me Traktatin e Shën Stefanit. Monarkive iu kufizuan disa kërkesa të cilat erdhën nga Gjermania, Austria dhe Britania.
Mossuksesi i diplomacisë shqiptare në Kongresin e Berlinit
Populli shqiptar doli më i dëmtuari nga Traktati i Berlinit nga se nuk u njohën kërkesat e shqiptarëve për autonomi nën protektoratin Osman si dhe nuk u mbrojtën trojet etnike shqiptare nga copëtimi që u bë në dobi të vendeve sllave. Shqiptarët edhe më tej mbetën në zotërimin e Perandorisë Osmane. Nga historiografët kemi një qëndrim kritik ndaj Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha. Mirëpo kjo punë duhet parë nga një këndvështrim tjetër.Pse vallë diplomacia shqiptare e përfaqësuar nga delegacionet që vinin nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, doli e pasuksseshme në Kongres? Dr. Lisen Bashkurti në librin e tij “ Diplomacia Shqiptare” përmend katër arsye në këtë konotacion:
Së pari, shqiptarët shkuan tepër të vonuar në Kongres dhe me kërkesa te cilat nuk ishin të unifikuara. Monarkitë Ballkanike kishin shpallur pavarësinë, ishin në krijim e sipër të shteteve të tyre, kishin ndërmarrur hapa të rëndësishëm diplomatikë me disa Fuqi të Mëdha mandje posedonin edhe dokumentacionin i cili rrjedhte nga Traktati i Shën Stefanit. Së dyti, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e krijuar vetëm se disa ditë më parë se të mbahej Kongresi i Berlinit dhe akoma nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht sidomos tek Fuqitë e Mëdha të cilat merrnin vendimet dhe nënshkruajtën marrëveshjen. Së treti, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u nis drejt Berlinit me një platformë të dyzuar. Ishin të pranishme dy koncepte të cilat rridhnin nga Lidhja, ai i autonomisë dhe ai i pavarësisë. Më vonë kemi edhe delegacionin e Mirditës me konceptin fetaro-krahinor. Pra ajo që mungonte ishte unifikimi i koncepteve. Së fundmi, Lidhja e Prizrenit gjatë gjithë kohës kishte qenë nën influencën e Perandorisë Osmane. Fillimisht shpresuan që kërkesat e tyre do të realizoheshin nëpërmjet konceptit të autonomisë nën Perandorinë Osmane, e kur u lanë në mëshirën e konjukturës koncepti u reformua mirëpo ishte tepër vonë.
Mossuksesi i diplomacisë shqiptare lidhet edhe me atë që Lidhja Shqiptare e Prizrenit shpresat e veta i mbështeti tek një fuqi e cila kishte humbur luftën në vend që të rregullonte raportet diplomatike me ndonjërën nga fuqitë të cilat ishin fituese.Mossuksesi gjithashtu lidhet edhe me të metat dhe dobësitë e shqiptarëve , sepse veprimet e tyre politike nga njëra anë ishin tepër patriotike por nga aspekti diplomatik ishin krejtësisht amatore. Mirëpo nga këto lëshime do të merret leksioni i veprimit për në Konferencën e ardhshme që do të mbahej Londër.
Çka përfituan shqiptarët nga Kongresi i Berlinit?
A thua vallë që Kongresi i Berlinit solli gjithçka të keqe për shqiptarët? Çka përfitoi delegacioni shqiptar nga ky Kongres dhe cilat ishin përvojat që sollën në Shqipëri? Duke e zbërthyer me kudjes Kongresin e Berlinit, shihet se solli sadopak vlera të rëndësishme për shqiptarët. Pikësëpari, Kongresi ishte forumi i parë ndërkombëtar që pranoi dhe i konsideroi ndërkombëtarisht kërkesat e popullit shqiptar. Ky është momenti që shënon fillimin e ndërkombëtarizimit të çështjes së tyre në diplomacinë botërrore.Më pastaj, ky Kongres bëri ndryshime në Traktatin e Shën Stefanit i cili ishte i kobshëm për shqiptarët. U kufizuan pretendimet sërbe në drejtim të Kosovës, pretendimet malazeze në drejtim të Shkodrës, ato bullgare në krijimin e “Bullgarisë së Madhe” në dëm të tokave shqiptare, si dhe pretendimet greke në jugun e Shqipërisë.
Kongresi i Berlinit me të vërtetë nuk njohu kërkesën e delegacionit shqiptar për autonomi ose pavarësi, por gjithsesi e njohu atë si realitet ballkanik dhe të konsiderohej edhe nga Rusia dhe Monarkitë sllave. Ky Kongres edhe pse nuk mund që të ruante tërësinë territoriale të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, por gjithsesi ruajti një pjesë të konsiderueshme të territoreve shqiptare larg lakmive shoviniste sllave dhe greke. Sipas vleresimit të Dr. Lisen Bashkurtit në librin e tij “Diplomacia Shqiptare”, Kongresi i Berlinit shënoi një hap të rëndësishëm për çështjen shqiptare nga se i faktorizoi dhe i ndërkombëtarizoi shqiptarët dhe kërkesat e tyre, bëri presion mbi fqinjët dhe kufizoi pretendimet e tyre tërësisht copëtuese për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe u dha kohë shqiptarëve për të evoluar dhe unifikuar konceptet e tyre për të ardhmen e shtetit shqiptar në Ballkan, për të njohur më mirë situatën politike e diplomatike në Rajon si dhe raportin e Fuqive të Mëdha në Evropë lidhur me Krizën Lindore. Dhe së fundmi, ajo që është më e rëndësishme, Kongresi i Berlinit, dëshmoi përpara faktorit shqiptar se interesat e disave nga Fuqitë e Mëdha përputheshin me ato të shqiptarëveç çka shënonte një shans dhe hap historik për të ardhmen e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.