Sot, për nder të 28 Nëntorit, Kosova dhe Shqipëria janë bërë bashkë në Kuvendin e Shqipërisë, në Tiranë.
Në mbledhjen e përbashkët të dy vendeve, me një fjalim mori pjesë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u shpreh se 28 Nëntori mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat kolektive e aspiratat e popullit shqiptar, transmeton Fol Drejt.
Duke përshëndetur të pranishmit në sallë, Konjufca në fillim të fjalimit të vet nuk la pa përshëndetur as shqiptarët brenda e jashtë trojeve shqiptare.
“Na ka bërë tok në Tiranë dita më e rëndësishme e jona, 28 Nëntori, le t’i përshëndesim të gjithë shqiptarët, bashkatdhetarët tanë kudo që ata jetojnë…Jemi këtu dhe ne jemi me ju, e juve ju kemi në zemër”, u shpreh Konjufca.
Ai tha se 28 Nëntori mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona, mundin dhe përpjekjen e shqiptarëve për liri.
“Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme për të na i mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara”
“Një fill i vetëm e përshkon historinë tonë të lavdishme prej Skënderbeut, shpalljes së pavarësisë në Vlorë e deri te lufta e UÇK-së. 28 Nëntori është sa i Shqipërisë po aq edhe e Kosovës”, tha Konjufca duke numëruar ngjarjet historike e heronjtë që dhanë kontribut në lirinë dhe historinë e popullit shqiptar.
“Pikërisht në këtë ditë lindi edhe heroi i madh i shqiptarisë, Adem Jashari, që u sakrifikua bashkë me familjarë e fshatarë. UÇK u shfaq në Drenicë më 28 Nëntor po ashtu. Lufta e UÇK-së e largoi okupatorin serb e që i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njëjtë sikur Lidhja e Prizrenit që i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”.
“Popullin tonë të pamposhtur e mbajti gjallë lidhja me 28 Nëntorin, dashuria për kombin, tokën dhe gjuhën tonë shqipe”, u shpreh tutje Konjufca./FolDrejt/