Sot po shënohet 16-vjetori i vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për këtë reagoi në profilin e tij zyrtar në Facebook kryeparlametari i Kuvendit të Kosovës, një nga figurat më të rëndësishme të kësaj lëvizje, Glauk Konjufca, përcjell Fol Drejt.
“Sot është 16-vjetori i vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, nga policia rumune e UNMIK-ut.
Arbeni e Moni ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës.
Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit.
Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte.
Po. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini e Mon Balaj!”, u shpreh Konjufca./FolDrejt/