Glauk Konjufca e ka komentuar deklaratën e të dërguarit amerikan Gabriel Escobar i cili para pak kohësh tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të bëhet “me apo pa Kryeministrin Albin Kurti”, shkruan Fol Drejt.
I pari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se kjo punë nuk mund të bëhet, pa praninë e kryeministrit:
“Nuk e kisha shtru çështjen si z. Escobar. Nuk është çështja me Kurtin a pa Kurtin, por pa kryeministrin e Kosovës Asociacioni nuk bëhet. Mirë pra, vjen një kryeministër tjetër, por pa kryeministrin e Kosovës nuk bëhet”, komentoi ai në DPT te Fidani në T7.
Sipas tij, nëse krerët e shtetit, duke i përfshirë këtu presidenten dhe kryeministrin, nuk e pranojnë asociacionin monoetnik, ai kurrë nuk do të formohet.
Konjufca ka thënë se, po qe se ndodhin ndryshime dhe rrethanat do të jenë të atilla sa që ai të mos jetë më Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të “jem në rrugë për me ndalë këtë punë”, ka thënë ai./FolDrejt/