Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përkujtoi masakrën mbi familjen Deliu në Abrinë e Epërme, 25 vjet më parë.
Për këtë ai reagoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
Postimi i plotë i kryetarit Konjufca:
Ata nuk kursyen as fëmijët, as gratë as të moshuarit, nga mosha 3 muajshe deri në 94 vjeç.
Ata nuk kursyen asnjë anëtar të familjes Deliu atë paradite të 26 shtatorit në vitin 1998 në pyjet afër fshatit ku jetonin, në Abri të Drenicës.
Të vrarë mizorisht nga afërsia, kjo ngjarje tronditi edhe mediat botërore.
Masakra e Abrisë na sjell në vëmendje fushatën ushtarake gjenocidale të aparatit shtetëror serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Masakra e Abrisë është një nga emrat e gjenocidit, një ndër thirrjet e ndërgjegjes sonë të përbashkët për drejtësi.
Sot isha në homazhe në nder të martirëve tanë të lirisë në Abri, njëherazi edhe për të theksuar se drejtësia akoma nuk është vendosur në vend, pa të akuzuar, pa të dënuar dhe pa përgjegjës për këtë krim makabër.
Asnjëherë nuk duhet të pushojmë së thëni se drejtësia e munguar është premtim për padrejtësi dhe krim të ardhshëm të synuar dhe këtë shteti serb nuk ka reshtur së konfirmuari përmes akteve të shumtë deri më sot.
Lavdi dhe drejtësi për martirët e Abrisë, i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
/FolDrejt/