Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar 25-vjetorin e rënies heroike të familjes së Jasharëve dhe njëherit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në facebook, Konjufca ka thënë se në Prekaz, më 5, 6 e 7 mars 1998, po shkruhej me shkronja gjaku vepra madhore – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin Adem Jashari.
“Sot e 25 vjet më parë, në Prekazin e bacës Shaban, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe kombëtarisë, një familje shqiptare – burra e gra, i madh e i vogël – me guximin mbinjerëzor po luftonte kundër një shteti të tërë – Serbisë agresore.
Aty, më 5, 6 e 7 mars 1998, po shkruhej me shkronja gjaku vepra madhore – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin Adem Jashari.”, ka shkruar Konjufca në postimin e tij.
“Në historinë e një populli nuk ka ngjarje më të rëndësishme sesa lufta për çlirim. Në jetën e një populli nuk ka qëllim më të lartë dhe asgjë më të shtrenjtë sesa liria.
Aspirata e popullit tonë ka kaluar nëpër një varg përpjekjesh, luftërash e sakrificash shekullore. Një rrugë e gjatë brezash, e stërmundimshme dhe plot e përplot dhimbje deri te Republika e pavarur dhe sovrane.
Aty ku nisi rruga e lirisë, nis Epopeja e lavdisë, themeli i pavarësisë dhe kujtimi i përjetësisë.
Nuk do të vdesë kurrë kujtimi i Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes emblematike Jashari dhe dëshmorëve të lirisë. Lavdi!”, ka shtuar tutje kryeparlamentari Konjufca./FolDrejt/