Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar Luan Haradinajn në 26-vjetorin e rënies së tij, transmeton Fol Drejt.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca është shprehur se Haradinaj nuk ishte vetëm një luftëtar i përkushtuar, por një frymëdhënës i vërtetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Si një nga bërthamët e para të rezistencës së armatosur në Dukagjin, Luan Haradinaj tregoi zell dhe shkathtësi të jashtëzakonshme në organizimin e grupeve të armatosura. Gjenerali do të mbahet mend për guximin, zellin, shkathtësitë e jashtëzakonshme, solidaritetin dhe kujdesin që tregoi për bashkëluftëtarët dhe popullin e tij.
Në 6 maj të vitit 1997, gjatë një përleshjeje me forcat okupatore, Luan Haradinaj u bë dëshmor i lirisë. Ai ra në betejë, por shpirti dhe sakrifica e tij do të jetojnë gjithmonë në kujtesën tonë. Vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij vazhduan rrugën e çlirimit dhe në fund arritën qëllimin e tyre, pavarësinë e Kosovës.”, ka shkruar Konjufca.
“Ne sot nderojmë simbolin e guximit dhe përkushtimit për lirinë. Le të vazhdojmë rrugën e tij të ndriçuar me dëshirën për një Kosovë të prosperuar.
Lavdi Heroit Luan Haradinaj!
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës!”, ka shtuar tutje./FolDrejt/