Situatën e krijuar në Kosovë, me braktisjen e institucioneve nga deputetët e zyrtarët policorë serbë, e ka komentuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai ka konsideruar se në këtë situatë sipas tij nuk mund të vendoset ndryshe përpos asaj që thotë ligji.
Tutje, ai ka bërë me dije se do t’i drejtohet presidentes Osmani, e pastaj ajo do t’i drejtohet KQZ-së.
“Unë do t’i drejtohem presidentes, e pastaj presidentja do t’i drejtohet KQZ-së. KQZ më pas i përgjigjet presidentes me propozimet e reja që vijnë nga e njëjta listë, pra nga Lista Serbe”, ka thënë Konjufca.
“S’kisha pasur dëshirë të mendoj se Aleksandër Vuçiq mund ta çojë Kosovën në zgjedhje kurdo që ai dëshiron. Këtu te jemi të qartë, nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe i Vuçiqit që të shkaktojë zgjedhje në Kosovë, apo ndonjë lloj destabilizimi, apo zgjedhjet si rezultat i destabilizimit edhe i sfidimit të situatës së sigurisë në Kosovës, atëherë mendoj që kjo jo vetëm që nuk është e mundshme por besoj që edhe i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovës, që kjo është e palejueshme dhe e patolerueshme”, ka shtuar Konjufca./FolDrejt/