Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca vizitoi sot familjen e veprimtarit Ukshin Hoti në Krushë të Madhe.
Kryeparlamentari Konjufca tha se sot po bëhen 23 vite prej kur forcat shtetërore të Serbisë e zhdukën patriotin dhe veprimtarin shquar Ukshin Hoti, transmeton Fol Drejt.
“Ishte një krim i madh i rëndë të cilin nuk e ka përjetuar vetëm familja, por mbarë populli ynë sepse Ukshin Hoti ishte njëri ndër veprimtarët më të shquar të kombit tonë. Veprimtaria e tij është shumë e gjatë, e vlefshme dhe e rëndësishme për ta kujtuar. Ai na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme intelektuale, patriotike dhe kombëtare të cilën gjithmonë do ta studiojnë brezat e tashmë dhe të ardhshëm”, ka thënë Konjufca.
Ai theksoi se veprat e Ukshin Hotit edhe sot e kësaj dite na ndriçojnë rrugën tonë përpara.
“Zhdukja e tij 23 vite tash pas, shteti i Serbisë nuk ka dhënë fare përgjegjësi, askush nuk është gjykuar e as dënuar ndonëse dihen saktësisht kush ishin autoritetet e burgut ditën kur u zhduk Ukshin Hoti. Kjo tregon se ky shtet nuk po ëndërron drejtimin të cilin e ka pas në vitin 1998-1999 kundër popullit shqiptar”, u shpreh Konjufca.
Ai deklaroi se Hoti ka qenë një personalitet që nuk ka kalkuluar në pozita e favore, por gjithmonë ka qenë përkrahë popullit./FolDrejt/