Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në facebook, ka njoftuar se kontigjenti i FSK-së prej 42 personave në total, që për disa ditë radhazi morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, kanë arritur sonte në Kosovë.
Ky kontigjent është pritur nga vetë ministri Mehaj, nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, Gjenerallejtënant Jashari dhe Ambasadori i Republikës së Turqisë, Tunç Angili.
Sipas Mehajt, rastet e tilla të fatkeqësive janë momentet të cilat përcaktojnë miqtë dhe karakterin e vërtetë të secilit, dhe në këtë rast, gatishmëria e menjëhershme e pjesëtarëve të FSK-së për të ofruar ndihmë në operacionin e kërkim-shpëtimit të miqve turq, tregon për një fisnikëri e ndjenjë mirësie që tejkalon njerëzoren.
“Këta janë krenaria jonë, heronjtë tanë që përveçse shpëtuan jetë njerëzore treguan edhe nivel të lartë profesionalizmi.
Çfarëdo fjale miradie nuk shpreh mjaftueshëm mirënjohjen ndaj ushtarëve tanë, megjithatë i falenderoj edhe një herë.
Puna e tyre flet shumë më shumë për ta se secili prej nesh. “, ka shkruar Mehaj në postimin e tij.
“Ndërsa ky rast tregon se dallimi ndërmjet kombeve është i papërfillshëm kur bëhet fjalë për jetët njerëzore, këtu lidhja mes shteteve bëhet më e fortë e shumë reale.
Këtë ndjenjë mirënjohje e pamë edhe sonte kur në mesin e familjarëve kishte edhe shumë qytetarë të komunitetit turk, të cilët nuk kishin familjar në mesin e ushtarëve tanë, por që shpirtërisht me këtë akt humaniteti të treguar nga ana e FSK-së, i ndjenin të afërt, e po i prisnin ashtu si nëna pret djalin, apo motra, vëllaun.
Ju jeni 42 heronjtë tanë, dhe krenaria jonë më e madhe!”, ka shtuar tutje./FolDrejt/