Qytetet dhe tokat bujqësore janë përmbytur nga shirat e dëndur, shtëpitë dhe rrugët janë shkatërruar nga rrëshqitjet e dheut, gjithashtu edhe të korrat janë shkatërruar nga valët e të nxehtit, sipas CNN.
Që nga fillimi i verës, skenat e shkatërrimit dhe mjerimit janë regjistruar në të gjithë Kinën, ndërsa kombi më i populluar në botë po përballet me një sërë emergjencash ekstreme të motit. Që nga fillimi i sezonit të shirave të vendit në maj, stuhitë e mëdha kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në zona të mëdha të Kinës jugore, duke vrarë dhjetëra njerëz, duke zhvendosur miliona dhe duke shkaktuar humbje ekonomike me vlerë në miliarda juanë.
Në qershor, reshjet ekstreme thyen “rekorde historike” në provincën bregdetare Fujian, si dhe në pjesë të provincave Guangdong dhe Guangxi. Në të njëjtën kohë, një valë nxehtësie preku Kinën veriore, me temperatura në 40 gradë.
Kjo valë e të nxehtit tani ka përfshirë gjysmën e vendit, duke prekur më shumë se 900 milionë njerëz ose rreth 64% të popullsisë. Të gjitha, përveç dy provincave verilindore në Kinë, kanë lëshuar paralajmërime për temperatura të larta, me 84 qytete që kanë lëshuar alarmin, raporton abcnews.al.
Katër qytete — tre në provincën qendrore të Hebeit dhe një në Yunnan në jugperëndim shënuan temperatura që arritën 44 gradë Celsius, sipas Qendrës Kombëtare të Klimës. Vala e të nxehtit ka përkuar me një rritje të rasteve me Covid, duke e bërë më të vështirë për banorët përfshirë të moshuarit, të cilët duhet të presin në radhë të gjata.
Kina është një zonë që është prekur nga ndryshimet klimatike globale, me temperatura që rriten më shpejt se mesatarja globale. Midis 1951 dhe 2020, temperatura mesatare vjetore e sipërfaqes së Kinës po rritej me një ritëm prej 0.26 gradë Celsius për dekadë, thuhet në raport. Sipas raportit, niveli i deteve rreth brigjeve të Kinës u rrit më shpejt se mesatarja globale nga viti 1980 deri në vitin 2020.
Ndryshimet klimatike kanë çuar në ngjarje ekstreme të tilla si përmbytjet gjatë verës me të cilat Kina është përballur me shekuj, tha Johnny Chan, një profesor emeritus i shkencës atmosferike në Universitetin e qytetit të Hong Kongut.
Për Kinën, numri i madh i popullsisë dhe ekonomisë së saj nënkupton se shkalla e dëmit të shkaktuar nga ngjarjet ekstreme të motit është shpesh masive. Ciklonet tropikale, përmbytjet dhe thatësirat vlerësohet t’i kushtojnë Kinës rreth 238 miliardë dollarë në vit — më e larta në rajonin e Azisë Paqësorit dhe gati trefishi i humbjes së vlerësuar të pësuar nga India ose Japonia, sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar nga Organizata Botërore Meteorologjike.
Vdekshmëria e lidhur me valët e të nxehtit në Kinë shënoi rritje nga viti 1990 në 2019, duke shënuar 26,800 viktima në vitin 2019, sipas një studimi të Lancet të publikuar në 2020./abcnews.al/