Filtrat e cigareve, përbërësi kryesor i bishtave të cigareve, janë një burim i vazhdueshëm i ndotjes së dëmshme plastike. Kur hidhen, ato nuk biodegradohen. Në vend të kësaj, ato lëshojnë gradualisht një përzierje kimikatesh të rrezikshme dhe që shkaktojnë kancer në mjedis. Tani, një studim ka vlerësuar se sa kushton ky dëm mjedisor.
Debora Sy, një studiuese në Qendrën Globale për Qeverisje të Mirë në Kontrollin e Duhanit në Tajlandë, zbuloi se plastika në bishtat dhe paketimet e cigareve kushton rreth 26 miliardë dollarë çdo vit ose 186 miliardë dollarë çdo 10 vjet në menaxhimin e mbetjeve dhe dëmtimin e ekosistemit. Ato janë kosto që janë anashkaluar kryesisht dhe mund të parandalohen, shpjegoi Sy.
Për studimin e saj, studiuesja u mbështet në burimet e të dhënave publike aktualisht të disponueshme për shitjet e cigareve, kostot e pastrimit dhe mbetjet plastike në tokë dhe det. Këto përfshijnë Bankën Botërore, Fondin Botëror të Kafshëve të Egra (WWF), Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Atlasin e Duhanit, një burim për të dhënat e duhanit.
Çdo filtër plastik peshon 3.4 gram. Duke qenë se ato shpesh hidhen së bashku me ambalazhet plastike, të cilat peshojnë mesatarisht 19 gram për një paketë standarde prej 20 cigaresh, kjo është përfshirë edhe në llogaritje. Sy vlerësoi parashikimet vjetore dhe 10-vjeçare të kostos mjedisore dhe ekonomike të plastikës së duhanit bazuar në tonazh.
Nga 25.7 miliardë dollarë vjetorë, 20.7 miliardë dollarë është kostoja e dëmtimit të ekosistemit detar dhe kostot e mbetura janë menaxhimi i mbetjeve, duke u shtuar në 186 miliardë dollarë gjatë 10 viteve, periudha që duhet për degradimin e bishtave të cigareve. Vendet me mbetjet më të mëdha të cigareve janë me të ardhura të ulëta dhe mesatare, veçanërisht Kina, Indonezia, Japonia dhe Bangladeshi.
“Edhe pse kjo shumë është e vogël në krahasim me humbjet vjetore ekonomike nga duhani (1.4 trilion dollarë në vit) dhe mund të duket e parëndësishme në krahasim me 8 milionë vdekjet që i atribuohen duhanit çdo vit, këto kosto mjedisore nuk duhet të nënvlerësohen pasi ato po grumbullohen dhe janë të parandalueshme”, tha Sy.
Ndërsa ajo pranon se shifrat janë vetëm përllogaritje, Sy beson se ato ka të ngjarë të jenë konservatore, pasi ato nuk marrin parasysh metalet toksike dhe kimikatet në bishtat e cigareve që grumbullohen me kalimin e kohës. Një studim i vitit 2011 zbuloi se sasia e kimikateve të lëshuara nga një bisht cigareje ishte në gjendje të vriste peshqit në një kovë me një litër ujë.
Politikat për të zhvendosur përgjegjësinë për kostot e pastrimit tek industria e duhanit janë duke u shqyrtuar në shumë vende si Spanja, Britani, Bashkimi Evropian dhe SHBA. Megjithatë, Sy beson se zgjidhja më e mirë është ndalimi i shitjes së bishtave të cigareve plastike si pjesë e përpjekjes globale për eliminimin e plastikës me përdorim të vetëm, diçka që aktualisht po diskutohet si pjesë e një traktati global. /Motilokal.com/