Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka shfrytëzuar mbledhjen e sotme, për t’iu folur qytetarëve serbë në lidhje me targat RKS, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri me këtë rast iu ka bërë thirrje atyre që t’i konvertojnë targat e automjeteve nga “PR” “PZ” “KM” në “RKS”.
“Përgjatë muajit korrik kemi vënë njoftime mbi vendimet tona për targa dhe sqarimet për procedurat. Edhe unë vet jam përfshirë në fushatën e informimit. Përballë fushatës sonë të informimit, u ngrit një fushatë e dezinformimit e cila nxiste frikë e destabilitet. Barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit. Konvertimi i targave i shërben rendit dhe ligjit” – tha ai ndër të tjera.
Sipas tij vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje dalje “nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes. Koha e pritjes për tu pajisur me këtë dokument është 20 sekonda, ndërkohë në Serbi duhet të presim rreth 10 e mbi 60 minuta për të njëjtin dokument. Fushata jonë e informimit do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit, kur do të fillojnë së zbatuari dy vendimet tona. Ne e dimë që barrrikaat në veri nuk vijnë nga poshtë, por vendosen nga lart”, u shpreh Kurti.
Këto komente të kryeministrit vijnë pasi situata në veri të vendit u tensionua një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit./FolDrejt/