Ministri i Unifikimit të Koresë së Jugut, Kim Yung-ho, bëri thirrje për bashkëpunim për mos ekstradimin në Korenë e Veriut të personave që largohen nga Koreja e Veriut dhe të cilët ndalohen në Kinë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas lajmit të Yonhap, Kim Yung-ho në një fjalim gjatë një aktiviteti në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, theksoi se personat nga Koreja e Veriut që largohen në Kinë duhet të shikohen si “azilantë”.
Ai ka theksuar se personat që largohen nga Koreja e Veriut dhe ndalohen në Kinë nuk duhet të ekstradohen. “Ne i bëjmë thirrje qeverisë kineze të bashkëpunojë për çështjet e koreanëve që ndodhen të arrestuar në Kinë dhe ekstradimin e tyre të detyruar (në veri)”, u shpreh Kim.
Pasi vuri në dukje rëndësinë e trajtimit njerëzor dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të arratisurit, Kim deklaroi se këto persona duhet të shkojnë në vendin që ata dëshirojnë, përfshirë edhe Korenë e Jugut.
Kim tha se Koreja e Jugut është e gatshme të pranojë të gjithë koreano-veriorët që duan të vijnë në vend.
Sipas të dhënave të Qendrës për të Dhënat e të Drejtave të Njeriut të Koresë së Veriut (NKDB), 98 për qind e 8.148 personave që janë ekstraduar në vend janë dërguar nga Kina.