Ushtria e Koresë së Jugut ka ngritur avionët dhe ka lëshuar të shtëna paralajmëruese pasi dronë nga Koreja e Veriut kaluan kufirin.
Sipas një raportimi të agjencisë së lajmeve Yonhap, një zyrtar i Shefit të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut tha se “zbuluan disa objekte të paidentifikuara”, që supozohet se ishin mjete ajrore pa pilot, në zonat kufitare të provincës Gyeonggi, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në raportim thuhet se dronët kaluan Linjën e Demarkacionit Ushtarak, që ndan dy Koretë, dhe u panë duke fluturuar në zonat në Gimpo, ishullin Ganghwa dhe Paju.
Forcat e Koresë së Jugut “lëshuan mesazhe paralajmëruese, gjuajtën të shtëna paralajmëruese dhe ngritën avionë luftarakë, helikopterë sulmues për t’i larguar mjetet e paidentifikuara, të cilat nuk dihet nëse mbanin armatim”, citohet të ketë thënë zyrtari.
“Operacioni është ende në vazhdim”, tha ai, duke shtuar se në operacion përfshihet edhe një aeroplan sulmues KA-1 që u rrëzua në Hoengseong, rreth 140 kilometra në lindje të kryeqytetit Seul, “për arsye të panjohur”.
Të dy pilotët e avionit shpëtuan pa u lënduar.
Situata çoi në pezullimin e fluturimeve në aeroportet ndërkombëtare Gimpo dhe Incheon.
Ministria e Transportit konfirmoi se “pezulloi përkohësisht” fluturimet në aeroporte pas kërkesës së Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut./FolDrejt/