Koreja e Jugut kreu me sukses testin e interceptimit të raketave, të raketës së saj tokë-ajër me rreze të gjatë (L-SAM).
L-SAM e prodhimit vendor mund të rrëzojë raketa balistike në një lartësi prej 50-60 kilometrash, të ngjashme me “Terminal High Altitude Area Defense (THAAD)” të SHBA-së, njoftoi Agjencia e Lajmeve Yonhap, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Koreja e Jugut planifikon të përfundojë zhvillimin e L-SAM deri në vitin 2024 dhe ta ketë në inventarë në vitin 2027, sipas raportit.
Veprimi i fundit erdhi pasi Koreja e Veriut lëshoi me sukses një lloj të ri rakete balistike ndërkontinentale të premten.
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur më tej si rezultat i stërvitjeve të përbashkëta ushtarake midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së të mbajtura së fundmi, si dhe testeve raketore të Koresë së Veriut.
Dje, SHBA-ja i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë “veprim të ashpër” ndaj Koresë së Veriut në përgjigje të lëshimit të fundit të raketës balistike ndërkontinentale nga Pheniani, në kundërshtim me rezolutat e OKB-së.
Megjithatë, i dërguari i Kinës në OKB, Zhang Jun, i bëri thirrje SHBA-së të ndalojë stërvitjet ushtarake dhe të lehtësojë sanksionet kundër Koresë së Veriut.
Kina dhe Rusia kanë kërkuar prej kohësh lehtësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut./FolDrejt/